Wednesday, November 2, 2016

Corvitol 50 (tableta)

Forma farmaceutike dhe substanca aktive: 1 tabletë përmban 50 mg metoprolol tartrate.

Grupi farmakoterapeutik: Bllokues selektiv i receptorëve beta-adrenergjikë.

Indikimet

Presion i rritur i gjakut (hipertension arterial);
Sëmundje të arterieve koronare;
Çrregullime funksionale të zemrës (sindrom i zemrës hiperkinetike);
Aritmi, me shtim të shpeshtësisë së rrahjeve të zemrës (takiaritmi);
Trajtim akut i infaktit të zemrës;
Trajtim afatgjatë pas infarktit të zemrës;
Trajtim parandalues i migrenës.
Kundërindikimet
Corvitol® 50 nuk duhet të përdoret në të sëmurët me:

Pamjaftueshmëri të punës së zemrës (insuficiencë kardiake e manifestuar);
Shok;
Çrregullime të përçimit nga atriumet në ventrikuj (bllok AV i gradës së II apo të III);
Sindrom i sinusit të sëmurë;
Çrregullime të përçimit nga nyja sinusale në atriume (bllok sino-atrial);
Shpeshtësi të rrahjeve të zemrës, në qetësi, para fillimit të trajtimit, më pak se 50/min (bradikardi);
Ulje patologjike të presionit të gjakut (hypotension; presion sistolik më pak se 90 mmHg);
Ulje të pH të gjakut (acidozë);
Prirje për gjendje spastike të muskujve bronkialë (mbindjeshmëri bronkiale p.sh. astmë bronkiale);
Gjendje të avancuara të çrregullimeve të qarkullimit të gjakut në anësi;
Mjekim të njëkohshëm me frenues të MAO (përvec MAO-B inhibitorëve);
Mbindjeshmëri ndaj metoprololit ose beta bllokuesve të tjerë.
Përdorimi intravenoz i antagonistëve të kalciumit, të tipit të verapamilit dhe diltiazemit, ose  antiaritmikëve të tjerë (p.sh disopiramid), në pacientët që mjekohen me Corvitol® 50, përveç terapisë intensive, është i kundërindikuar.

Nevojitet një mbikqyrje e kujdesshme mjekësore në rastet me:

Çrregullime të përçimit (bllok AV i gradës së I);
Diabet, kur vlerat e glukozës në gjak levizin vazhdimisht (rrezik për gjendje hypoglicemike të rënda);
Mosmarrje për një kohë të gjatë të ushqimit ose sforcime fizike të theksuara (rrezik për gjendje hipoglicemike të rënda);
Pacientë me feokromacitomë (tumor, hormon prodhues, i pjesës së brendshme të gjendrave mbiveshkore).
Corvitol® 50 mund të përdoret vetëm pas alfabllokadës paraprake.

Pacientë me funksion hepatik të dëmtuar.
Në pacientët me anamnezë personale ose familjare për psoriasis, medikamentet beta bllokues mund të përdoren vetëm pasi është bërë një vlerësim rigoroz i raportit përfitim/rrezik.
Kjo vlen gjithashtu për pacientët që vuajnë nga forma të rënda të mbindjeshmërisë dhe për ata që i nënshtrohen terapisë desensibilizuese.
Tek pacientët që përdorin medikamente beta bllokues reaksionet alergjike mund të ndodhin më shpesh dhe mund të jenë të formave më të rënda.
Tek pacientët me disfunksion renal të rëndë duhet të mbikqyret vazhdimisht funksioni renal.

Ndërveprimet medikamentoze
Efekti i medikamenteve, kur përdoren njëkohësisht, mund të rritet ose të pakësohet.
Efekti i medikamenteve që ulin sheqerin në gjak mund të shtohet ose të pakësohet gjatë trajtimit të njëkohshëm me barna beta bllokues (psh: Corvitol® 50).
Corvitol® 50 mund të fshehë simptomat e rënies së nivelit të glukozës në gjak (puls i shpejtuar, dridhje të gishtave).
Në këto raste nivelet e glukozës në gjak duhet të kontrollohen rregullisht.
Përdorimi i njëkohshëm i betabllokuesve dhe antidepresantëve, trankuilizantëve, antiaritmikëve, barnave kundër insufiçiencës kardiake, antihipetensivëve, relaksantëve, narkotikëve, disa barnave antiulçerozë (cimetidinë) mund të shkaktojë (në varësi të medikamentit) rënie të theksuar të presionit arterial, ngadalësim të pulsit, çrregullime të ritmit të zemrës dhe, në raste të izoluara, insufiçiencë të miokardit.
Në këto raste këshillohet mbikqyrja e kujdesshme e pacientëve.
Në rastin kur trajtimi me Corvitol® 50 nuk mund të ndërpritet, para kirurgjisë me anestezi të përgjithshme ose para trajtimit me relaksantë, pacienti duhet të informojë anestezistin lidhur me përdorimin e Corvitol® 50.
Kur Corvitol® 50 administrohet bashkë me klonidinën, kjo e fundit mund të ndërpritet vetëm pasi Corvitol® 50 është ndërprerë disa ditë përpara.
Në këtë mënyrë shmanget rritja, e mundshme, e theksuar e presionit të gjakut Rritje e theksuar e presionit të gjakut gjithashtu mund të vërehet kur përdoren bashkë Corvitol® 50 dhe medikamente simpatomimetike, që mund të përmbahen në preparatet kundër kollës, pikat për sy apo për hundë.
Pacienti duhet të informojë mjekun për përdorimin e barnave të tjerë, pasi janë të mundshme edhe bashkëveprime të tjera medikamentoze.

Udhëzime lidhur me përdorimin në shtatzëni dhe gjidhënie
Corvitol® 50, veçanërisht gjatë 3 muajve të parë të shtatzënisë, duhet të përdoret me shumë kujdes dhe vetëm pas vlerësimit rigoroz të indikacioneve dhe të raportit përfitim/rrezik.
Ka të dhëna që metoprololi ul furnizimin me gjak të placentës dhe për këtë arsye mund të shkaktojë çrregullime të rritjes së fetusit.
Gjatë përdorimit të betabllokuesve të tjerë janë vënë re aborte, lindje të parakohëshme dhe vdekje intrauterine të fetusit.

Metoprololi ekskretohet i përqëndruar në qumështin e gjirit.
Për shkak të mundësisë së ngadalësimit të ritmit të zemrës, rënies së presionit të gjakut dhe uljes të nivelit të sheqerit në gjak tek i porsalinduri, terapia duhet të ndalohet 48 deri në 72 orë para lindjes. Në qoftë se kjo nuk është e mundur të porsalindurit duhet të mbikqyren me kujdes, 48 deri në 72 orë pas lindjes.
Fëmijët në gji duhet të mbikqyren për mundësinë e shfaqjes së shenjave të efektit të metoprololit.
Sasia e metoprololit të përthithur nga fëmija, nëpërmjet qumështit të gjirit, mund të pakësohet duke mos dhënë gji 3-4 orë pas marrjes së mjekimit.

Dozimi, mënyra dhe kohëzgjatja e përdorimit
Doza duhet përcaktuar në mënyrë individuale dhe duke u bazuar kryesisht në përgjigjen ndaj trajtimit.
Ajo mund të ndërrohet vetëm sipas këshillës së mjekut.

Në qoftë se nuk rekomandohet ndryshe, mund të përdoren dozat e mëposhtëme:

Hipertension arterial
1 tabletë Corvitol® 50, 1-2 herë në ditë ose 1 deri në 2 tabeta Corvitol® 50, 1 herë në ditë.
Doza ditore, në qoftë se është e nevojshme, mund të rritet deri në 2 herë në ditë nga 2 tabeta.

Sëmundja e arterieve koronare të zemrës
1 tabetë Corvitol® 50, 1-2 herë në ditë ose 1-2 tabeta Corvitol® 50, 1 herë në ditë.
Doza ditore, në qoftë se është e nevojshme, mund të rritet deri në 2 tabeta 2 herë në ditë, duke u kujdesur për të monitoruar presionin arterial.

Çrregullime funksionale të zemrës (sindromi i zemrës hiperkinetike)
1 tabetë Corvitol® 50, 1-2 herë në ditë ose 1-2 tabeta Corvitol® 50, 1 herë në ditë.
Doza ditore, në qoftë se është e nevojshme, mund të rritet deri në 2 tabeta 2 herë në ditë, duke u kujdesur për të monitoruar presionin arterial.

Aritmi, me shtim të shpeshtësisë së rrahjeve të zemrës (takiaritmi)
2 tableta Corvitol® 50, 1-2 herë në ditë.

Trajtimi akut i infarktit të zemrës dhe terapia afatgjatë në periudhën pas infarktit
a) Trajtimi Akut
Infarkti akut i miokardit duhet të trajtohet menjëherë në spital, nën një monitorim të vazhdueshëm të ECG dhe presionit arterial.
Trajtimi fillon me 5 mg metoprolol tartrate i.v.
Në vartësi të tolerancës, mund të jepen doza të mëtejshme 5 mg metoprolol i.v, në intervale 2 minuta, deri në një dozë maksimale 15 mg metoprolol.
Në qoftë se doza e plotë (15 mg i.v) tolerohet mirë, 15 minuta pas injeksionit të fundit jepet 1 tabletë Corvitol® 50.
Në 48 orët që vijojnë përdoret 1 tabletë Corvitol® 50, çdo 6 orë.
Në pacientët që kanë toleruar më pak se 15 mg metoprolol i.v, terapia orale duhet të fillohet me kujdes, me ½ tabletë Corvitol® 50, vetëm 1 herë.
b) Doza mbajtëse (trajtimi afatgjatë)
Pas trajtimit akut jepet 2 tableta Corvitol® 50, 2 herë në ditë.
Corvitol® 50 duhet ndaluar menjëherë nëse frekuenca kardiake ulet ose presioni arterial pakësohet deri në atë pikë që kërkohet trajtim, ose në qoftë se paraqiten komplikacione të tjera.

Profilaksia e migrenës
2 tableta Corvitol® 50, 1-2 herë në ditë.
Në kushtet e funksionit hepatik të përkeqësuar, eliminimi i metoprololit ulet dhe, për këtë arsye mund të nevojitet një pakësim i dozës.
Tabletat duhet të merren pa u përtypur, pas ngrënies, të shoqëruara me shumë lëngje.
Ato mund të merren në mëngjes si dozë e vetme, ose kur përdoren 2 herë në ditë, doza e parë duhet marrë në mëngjes, ndërsa e dyta në mbrëmje.
Kohëzgjatja e përdorimit përcaktohet nga mjeku.
Në qoftë se trajtimi me Corvitol® 50, pas një përdorimi të gjatë, duhet ndaluar, kjo duhet bërë gradualisht, pasi ndalimi i menjëhershëm mund të shkaktojë ishemi kardiake me përkeqësim të angina pectoris, hipertension ose infarkt kardiak.

Efektet e padëshiruara
Corvitol® 50 në përgjithësi tolerohet mirë nga të sëmurët.

Ndonjëherë mund të ndodhin :
- Veçanërisht në fillim të trajtimit, çrregullime të sistemit nervor qendror psh: lodhje, gjendje depresive, marrje mendsh, konfuzion, dhimbje koke, djersitje, rritje e aktivitetit të ëndrrave, çrregullime të gjumit dhe halucinacione;
- Ankesa të përkohshme gastrointestinale;
- Reaksione mbindjeshmërie të lëkurës (gjatë ekspozimit ndaj dritës);
- Mpirje, ndjesi të ftohti dhe çrregullime të qarkullimit të gjakut në anësi;

Më rrallë mund të vërehen :
- Dobësi ose spazma muskulare, ulje e theksuar e presionit arterial, humbje e përkohshme e ndërgjegjes, palpitacione, ulje e frekuencës së pulsit, çrregullime të përçimit atrio-ventrikular në zemër, përkeqësim i insufiçiencës miokardiale ekzistuese, e shoqëruar me edema në anësi dhe/ose marrje fryme gjatë sforcimeve fizike, marrje fryme në pacientë me tendencë për gjendje spastike të rrugëve të frymëmarrjes.
- Tharje të gojës, konjuktivit dhe pakësim i prodhimit të lotëve (kjo është veçanërisht e rëndësishme për pacientët që mbajnë lente kontakti );
- Shfaqje të diabetit melit latent ose përkeqësim të atij ekzistues. Shenja të uljes së sheqerit në gjak nga mosmarrja e zgjatur e ushqimi ose pas një ushtrimi të rëndë fizik. Duhet patur parasysh se simptomat paralajmëruese të rënies së nivelit të sheqerit në gjak (p.sh pulsi i shpejtë, dridhje të gishtave) mund të fshihen nga përdorimi i metoprololit.

Në raste të izoluara janë raportuar:
Shtim i ankesave në pacientët me çrregullime të qarkullimit periferik, çrregullim të aktivitetit seksual (libidos), inflamacione të artikulacioneve (gjatë trajtimit afatgjatë), rritje të parametrave hepatike në gjak, inflamacioni i heparit (hepatit), rënie të flokëve, çrregullime të dëgjimit, rënie në peshë, ndryshime të personalitetit (fluktuacione të gjendjes shpirtërore, amnezi kalimtare), ndryshime në parametrat e gjakut (trombocitopeni ose leukopeni), rhinit alergjik, rritje të prodhimit te indit lidhor në penis (induratio penis plastica – sëmundja e Peyronie-s), shfaqje ose përkeqësim i psoriazës ose rash i tipit psoriatik.
Barnat betabllokues mund të maskojnë shenjat e hiperaktiviteti tiroidien (hipertiroidizmit) dhe mund të shkaktojnë çrregullime në metabolizmin e lipideve.
Barnat betabllokues mund të dëmtojnë aftësinë për të drejtuar makinën apo për të punuar me makineri që kërkojnë vëmendje.
Kjo vlen sidomos në fillim të trajtimit, gjatë rritjeve të dozës, ose kur medikamenti merret bashkë me alkoolin.

Shënim:
Afati i skadencës së preparatit është shtypur në kuti.
Kujdes! Mos e përdorni këtë kuti pas datës së skadencës.
Mbajini barnat në vende që nuk arrihen nga fëmijët!
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive