Saturday, November 5, 2016

Diazepam Alkaloid 10 mg/2 ml (tretësirë për injeksion)

1. ÇFARË ËSHTË DIAZEPAM ALKALOID-i DHE PËR ÇFARË PËRDORET

Një ampulë (2 ml tretësirë për injeksion) përmban 10 mg diazepam.

Forma farmaceutike
Diazepam Alkaloid tretësira për injeksion është e kthjellët me ngjyrë të verdhë në të gjelbërt.
Tretësira për injeksion gjendet në ampula të 2 ml nga qelqi neutral me ngjyrë kafeje, tipi hidrolitik I.

Paketimi
Tretësira për injeksion gjendet në ampula të 2 ml nga qelqi neutral me ngjyrë kafeje, tipi hidrolitik I. Secila blister përmban 5 ampula.
Kutia e kartonit përmban 10 ampula (2 blister) dhe fletudhëzimin.

Si vepron Diazepam Alkaloid-i?
Diazepam Alkaloid i përket grupit të barnave të quajtura benzodiazepine i cili përmban barin e quajtur diazepam, i cili përdoret si sedativ dhe antikonvulsiv (për kontrollimin e konvulsioneve), ose për relaksimin e muskulaturës.

Kur përdoret Diazepam Alkaloid-i?
Diazepam Alkaloid përdoret për anksiositetin e rëndë ose për agjitacion, për kontrollin e konvulsioneve epileptike ose nga temperaturë e lartë trupore,  për relaksim dhe qetësim para ndonjë ndërhyrje operative ose dentare, për lirimin nga spazmat (gërçet) muskulare, për para-mjekim te anestezia dhe për futje në anestezi, në obstetrikë: për heqjen e dhembjeve perinatale, te placenta previa, për të penguar eklampsinë dhe te preeklampsia.

2. ÇFARË DUHET TË DINI PARA SE TË PËRDORNI DIAZEPAM ALKALOID?
Informoni mjekun nëse vuani nga ndonjë sëmundje kronike, çrregullim metabolik, nëse e dini që jeni alergjik ose nëse jeni duke marrë barna të tjera.

Kur nuk duhet të përdorni Diazepam Alkaloid?
- Nëse jeni alergjik (hipersensitiv) në diazepam, në benzodiazepinat e tjera, ose në cilindo përbërës tjetër të Diazepam Alkaloid-it të përmendur më parë.
- Nëse ju vuani nga glaukoma (rritja e tensionit në sy),
- Nëse keni gjendjen e quajtur ‘myasthenia gravis’ (sëmundje e caktuar e muskujve)
- Nëse keni probleme me frymëmarrje.
- Nëse keni probleme të rënda me mëlçi ose me veshka.
Injeksionet e dizepamit nuk duhet të jepen te pacientët në komë, te bebet e porsalindura dhe te rastet e helmimit akut me alkool dhe deprimimet e tjera të sistemit nervor qendror.

Përkujdesje të veçanta me Diazepam Alkaloid
- Nëse jeni shtatzënë, nëse tentoni të mbeteni shtatzënë, ose nëse jeni gjidhënëse,
- Nëse jeni i moshuar,
- Nëse keni probleme me mëlçi, ose me veshka,
- Nëse keni vështirësi me frymëmarrje,
- Nëse keni ndonjë çrregullim të trurit, si forcim të arterieve të trurit,
- Nëse keni çrregullime mentale/të të menduarit (p.sh. depresion),
- Nëse keni histori për abuzim me barna/alkool,
Nëse merret në mënyrë të pandërprerë për kohë të gjatë, ekziston rreziku i zhvillimit të varshmërisë në diazepam ose që të keni probleme me simptomat e abstinences në rastin e ndërprerjes së marrjes së mëtejme. Doza duhet të zvoglohet gradualisht në mënyrë që ju të mos keni simptoma të abstinencës.

Përdorimi i Diazepam Alkaloid -it me ushqime dhe pije
Ju nuk duhet të merrni pije alkoolike ose barna që përmbajnë alkool derisa jeni në terapi me Diazepam Alkaloid.
Alkooli mund ta rritë efektin qetësues të Diazepam Alkaloid-it.

Shtatëzënia dhe ushqyerja me gji
Para se të merrni çfardo bari konsultohuni me mjekun tuaj ose farmacistin.
Diazepam Alkaloid-i nuk duhet të merret gjatë shtatzënisë dhe gjatë gjidhënies.

Efekti mbi aftësinë për të drejtuar automjete dhe për të përdorur makineri
Ju nuk duhet ta ngisni makinën ose të operoni me makineri të rrezikshme pas marrjes së injeksionit të Diazepam Alkaloid-it, sepse mund të keni përgjumje, e cila mund të persistojë edhe ditën e nesërme.

Në çfarë duhet patur kujdes nëse përdorni barna të tjera
Informoni mjekun ose farmacistin nëse jeni duke marrë ose keni marrë kohët e fundit barna të tjera, qoftë edhe ato pa përshkrimin e mjekut.
Të keni parasysh se këto informacione mund ti përkasin barnave të cilat më nuk i pini, si dhe barnat të cilat planifikoni ti merrni në të ardhmen.

Në veçanti, tregoni mjekut tuaj nëse në ndërkohë së bashku me diazepam merrni edhe këto barna:
- Barna të tjera për trajtimin e problemeve mentale (p.sh. zotepin dhe klozapin), për ankth (benzodiazepinat e tjera)  ose për depresion (p.sh. fluvoksamin).
- Barna për gjumëdhënie.
- Barna analgjetike, si kodeinë dhe fentanil.
- Anestetikë
- Eritromicinë, për trajtimin e infeksioneve.
- Barna për trajtimin e epilepsisë si fenitoinë, karbamazepinë dhe valproat natriumi.
- Isoniazid, bar për trajtimin e tuberkulozit.
- Rifampicinë, një antibiotik (zakonisht përdoret për trajtimin e tuberkulozit).
- Disulfiram, bar për trajtimin e varësisë në alkool.
- Cimetidinë ose omeprazol, barna për trajtimin e ulçers në stomak.
- Kontraceptivë oralë.
- Levodopë, bar për trajtimin e sëmundjes së Parkinson-it.
- Antihistaminikë (barna për trajtimin e sëmundjeve alergjike)

3.  SI TË PËRDORET DIAZEPAM ALKALOID-i?
Nëse vëreni se efekti i  barit është shumë i fortë ose shumë i dobët këshillohuni me mjekun ose farmacistin.

Dozimi dhe mënyra e përdorimit
Këtë bar duhet ta merrni saktësisht sipas rekomandimeve të mjekut tuaj.
Mos e ndryshoni dozën, ose ta ndërpreni marrjen e mëtejme pa konsultim paraprak me mjekun tuaj.
Mjeku juaj do ta përcaktojë dozimin dhe kohëzgjatjen e mjekimit.
Tretësira për injeksion Diazepam Alkaloid injektohet nga ana e mjekut ose nga infermierja në venë ose në muskul.
Gjithnjë duhet të përdoret sipas udhëzimeve të mjekut.

Mënyra e administrimit të ampulës
Intramuskular: bari injektohet thellё në muskul, por në rastet kur aplikohet kjo mënyrë e dhënies, absorbimi i substances ëpshtë i ngadalshëm dhe i pasigurt.
Intravenoz: bari injektohet shumë ngadalё, vetëm intravenoz jo më tepër se 5 mg (1ml) në minutë në ndonjerën nga venat e mëdha.
Diazepami mundet ose të përzihet ose të hollohet në të njejten shiringë ose shishe infuzive me barna të tjera.
Infuzioni: tretësira infuzive (glukozë 5% ose 10%  ose NaCl 0.9%) duhet të përgatitet menjëherë para aplikimit.
Përmbajtja e një ampoule (ose jo më tepër se 2 ampula në të njejten kohë) futen në jo më pak se 250 ml tretësirë infuzive, përzihet mire dhe përdoret menjëherë.
Administrimi parenteral duhet të zëvendësohet me ate oral sa më parë që është e mundshme.

Ankthi ose agjitimi akut:
Të rriturit: 5 – 10 mg i.v. ose i.m. Nëse është e nevojshme, administrimi mund të përsëritet pas 4 orësh.

Delirium tremens:
Të rriturit: 10 – 20 mg i.v. ose i.m. Nëse është e nevojshme, doza prej 5 – 10 mg mund të përsëritet pas 4 orësh.

Status epilepticus:
Të rriturit: 0.15 – 0.25 mg/kg peshë trupore me shpejtësi të ngadalshme i.v. ose i.m.
Pas 30 – 60 minutave, nëse është e nevojshme, doza mund të përsëritet, ose të administrohet në formë të infuzionit i cili do të rrjedh me shpejtësi shumë të ngadalshme, pikë pas pike.
Doza maksimale është 3 mg/kg peshë trupore në interval gjatë 24 orëve.
Fëmijët prej moshës 5 vjeçare e më tepër: 1 mg me shpejtësi të ngadalshme i.v. çdo 2 – 5 minuta, deri në dozen totale prej 10 mg. Nëse është e nevojshme, kjo mund të përsëritet pas 2 – 4 orëve.
Fëmijët prej moshës 30 ditë deri në moshën 5 vjeçare: 0.2 – 0.5 mg me shpejtësi të ngadalshme i.v. çdo 2 – 5 minuta, deri te doza totale prej 5 mg.

spazmi akut muskular:
Të rriturit: 10 – 20 mg i.v ose i.m një deri në dy here në ditë.
Fëmijët: 2 – 10 mg i.v ose i.m një deri në dy here në ditë.

Tetanusi:
Të rriturit: 0.1 – 0.3 mg/kg peshë trupore me shpejtësi shumë të ngadalshme i.v. në interval prej 1 – 4 orë ose 3 – 4 mg/kg peshë trupore në formë të infuzionit i cili do të rrjedh me shpejtësi shumë të ngadalshme, pikë pas pike në interval prej 24 orëve.
Fëmijët prej moshës 5 vjeçare e më tepër: 5 – 10 mg i.v ose i.m. Nëse është e nevojshme, kjo mund të përsëritet pas 4 orëve.
Fëmijët prej moshës 30 ditë deri në moshën 5 vjeçare: 1-2 mg i.v. ose i.m. Nëse është e nevojshme, kjo mund të përsëritet çdo 4 orë.

Obstetrikë:
Preeklampsia: në fillim, 10 – 20 mg me shpejtësi të ngadalshme i.v., e cila pasohet me 5 – 10 mg oral 3 herë në ditë.

Eklampsia: në fillim, 10 mg me shpejtësi të ngadalshme i.v.,dhe më vonë 100 mg gjatë intervalit prej 24 orëve në formë të infuzionit i cili do të rrjedhë me shpejtësi shumë të ngadalshme, pikë pas pike.

Placenta previa: 10 – 20 mg me shpejtësi të ngadalshme i.v. ose i.m. , nëse është e nevojshme doza mund të përsëritet.

Gjatë lindjes:  10 – 20 mg i.v. ose i.m., pasi që është hapur qafa e mitrës 2 – 3 gishta.

Anestezia, diagnostika, pre-medikacioni:
Të rriturit: 10 – 20 mg një orë para se të fillojë operacioni i planifikuar.
Fëmijët: 2 – 10 mg një orë para se të fillojë operacioni i planifikuar.
Hyrja në anestezi: 0.2 – 0.5 mg/kg iv me shpejtësi të ngadalshme.

Kardioverzioni, endoskopia, testimet radiologjike, ndërhyrjet e vogla kirurgjike:
Të rriturit: 10 – 30 mg i.v. me shpejtësi të ngadalshme.
Fëmijët:  0.1 – 0.2 mg/kg peshë trupore

Nëse keni ndonjë pyetje, ose nëse keni diçka të paqartë, pyeteni mjekun tuaj ose farmacistin.

4. EFEKTET ANËSORE TË MUNDSHME
Si të gjitha barnat tjera, edhe Diazepam Alkaloid-i  mund të ketë efekte të padëshiruara, por nuk do të thotë se këto do ti ketë secili pacient
Diazepami ka veprim të gjatë qetësues dhe mund të shkaktojë përgjumje, marramendje, ataksi, harresë dhe veçanërisht konfuzion te të moshuarit.
Për këtë arsye pacientët duhet të këshillohen që të mos ngasin makina ose të operojnë me makineri të rrezikshme gjatë pjesës tjetër të ditës dhe nuk duhet të largohen nga spitali për më së paku një orë pas injeksionit dhe pastaj vetëm në kompani me përgjegjësinë e të rriturve.
Mund të shfaqen turbillimi i të parit, tharja e gojës, ginekomastia (rritje e gjinjëve te meshkujt, ose dhembje në gjinjë te fermat), galaktoreja (prodhim jonormal i qumështit te meshkujt dhe te femrat), verdhza, rritja e presionit në sy, ndryshimi i ngjyrës së lëkurës, alopecia (rënie e flokëve).
Në raste të rralla, mund të shfaqen çrregullimet e lëkurës si skuqje, urtikarie.
Terapia për kohë të gjatë mund të shkaktojë neutropeni (rënie e numrit të leukociteve), anemi (rënie e numrit të eritrociteve), trombocitopeni (rënie e numrit të trombociteve) dhe agranulocitozë (rënie e numrit të granulociteve, një tip i leukociteve).
Injeksioni intravenoz mund të shkaktojë dhembje dhe reaksion lokal si tromboflebit.
Për minimizimin e rrezikut nga hipotensioni ose nga apnea (ndalja e frymëmarrjes) injeksioni duhet të jepet ngadalё (jo më shpejt se 5 mg (1 ml) në minutë) dhe të jepet në venë të madhe të hapsirës së brrylit.
Si shtesë e kësaj pacienti duhet të qëndrojë i shtrirë në shpinë për më së paku një orë pas injeksionit dhe duhet të jenë në gjendje gatishmërie mjetet për reanimim të plotë.
Janë raportuar reaksionet alergjike (hypersensitive) dhe efektet paradoksale si sjellje e eksituar dhe agresive.
Gjithashtu janë raportuar një rritje e frekuencës dhe intenzitetit të konvulsioneve të tipit grand mal me rastin e marrjes së diazepamit si barna shtesë te sëmundja konvulzive.
Ju lutemi që të konsultoheni me mjekun tuaj ose me farmacistin nëse do të keni ndonjerin nga këto efekte të padëshiruara, ose ndonjë i cili nuk është shënuar në këtë fletëudhëzim.

5. RUAJTJA DHE AFATI I PËRDORIMIT
Ruajtja
Mbajeni larg fëmijëve!
Ky bar të ruhet në temperaturë nën 25°C.

Afati i përdorimit
Të mos përdoret pas kalimit të afatit të përdorimit të shtypur në pako.
Data i referohet ditës së fundit të muajit të shënuar.

Mënyra e marrjes së këtij bari
Ky bar merret vetëm me recetë të mjekut, në institucion shëndetësor.

Masat speciale të shkatërrimit të barit të papërdorur
Barnat nuk duhet të hidhen në vende të papërshtatshme.
Pyeteni farmacistin për shkatërrimin e barnave të cilat nuk ju nevojiten.
Kjo masë do të ndihmojë në ruajtjen e ambientit.
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive