Monday, November 14, 2016

Heparina (injeksion)

VETITË FARMAKOLOGJIKE
• Heparina (e pafraksionuar – me peshë molekulare 5.000-30.000) është një antikoagulant parenteral që përdoret gjërësisht në praktikën klinike. Ajo përftohet nga kau ose derri dhe tregtohet në formën e kripës së natriumit, ose kalciumit.
• Heparina ushtron veprim antikoagulant kryesisht nëpërmjet shtimit të aktivitetit të antitrombinës III (ATIII). Kompleksi ATIII-heparinë ka aktivitet rreth 1.000 herë më të madh kundër faktorëve IIa (trombina), IXa dhe Xa se sa vetëm antitrombina III.
• Efekti antikoagulant i heparinës matet nëpërmjet kohës aPTT.

INDIKIMET
• Trajtim dhe parandalim i trombozës së venave të thella.
• Trajtim dhe parandalim tromboembolisë pulmonare.
• Trajtim dhe parandalim i trombozës arteriale.
• Anginë e paqëndrueshme.
• Infarkt akut i miokardit.
• Profilaksi gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale me rrezik për komplikacione trombotike.

 KUNDËRINDIKIMET DHE KUJDESI GJATË PËRDORIMIT
• Kundërindikohet administrimi i barnave me rrugë IM tek personat që marrin heparinë.
• Heparina kundërindikohet tek pacientët me hemorragji të pakontrolluar, apo me hemorragji gastrointestinale evidente.
• Heparina kundërindikohet tek personat me mbindjeshmëri ndaj proteinave të derrit ose kaut.
• Incidenca e komplikacioneve hemorragjike është më e lartë tek femrat dhe tek të moshuarit.
• Heparina duhet përdorur me kujdes tek pacientët, të cilët gjatë përdorimeve të mëparshme të saj, kanë shfaqur trombocitopeni.
• Përpara administrimit të heparinës duhen përjashtuar patologjitë e koagulimit.
• Heparina duhet përdorur me kujdes tek pacientët me sëmundje që shtojnë rrezikun për hemorragji (endokardit infektiv, aneurizëm disekante e aortës, ulçerë peptike, divertikulit, sëmundje inflamatore të zorrëve, hemofili, trombocitopeni, menstruacione, rrezik aborti, sëmundje hepatike, hipertension, dëmtime të syrit, trurit ose medulës spinale, anestezi spinale).

 EFEKTET ANËSORE
• Efekti anësor më serioz i heparinës është hemorragjia, e cila mund të paraqitet me forma nga më të lehtat (gjakderdhje nga gingivat, ose hematuri) deri tek më të rëndat (hemorragji). Hemorragjitë mund të paraqiten në formën e epistaksis, hematomave, purpurave, menstruacioneve të shumta, gjakderdhjeve të zgjatura nga plagët ose vendet e prera, hemorragjive gastrointestinale, intraokulare, dhe forma të tjera të hemorragjive të brendshme. Në rastet serioze heparina ndërpritet dhe administrohet protaminë.
• Trombocitopenia është një tjetër komplikacion i heparinës, që vërehet në 15% të pacientëve që përdorin heparinë me origjinë nga kau, dhe 6% të atyre që përdorin heparinë më origjinë nga derri. Ajo mund të jetë e hershme (me mekanizëm joimunitar) ose e vonuar (me mekanizëm imunitar).
Trombocitopenia e hershme është e formës së lehtë dhe shfaqet ditën e dytë deri të katërt. Trombocitopenia e vonshme është serioze pasi shoqërohet me rritje të agregimit trombocitar dhe shtim të komplikacioneve trombotike.
• Reaksionet alergjike sistemike mund të shfaqen me ethe, urtikaria, bronkospazmë, rhinit, konjuktivit, takipne, takikardi sinusale, edemë angioneurotike, shok anafilaktik.
• Personat që marrin heparinë mbi 1 muaj, mund të shfaqin osteoporozë. Rreziku për fraktura është i vogël (më pak se 2%), ndonëse rreth 30% e grave shfaqin osteoporozë subklinike.
• Dëmtimet e lëkurës ndodhin zakonisht pranë vendit të injektimit dhe paraqiten me lezione urtikariale, papula eritematoze dhe nekrozë të lëkurës.

 NDËRVEPRIMET MEDIKAMENTOZE
• Kombinimi i heparinës me ACE inhibitorë mund të shkaktojë hiperkalemi të theksuar.
• Përdorimi i njëkohshëm i heparinës me antiagregantët (aspirinë), trombolitikët (streptokinazë), apo antikoagulantët oralë (warfarinë), megjithëse shoqërohet me shtim të rrezikut për hemorragji, përdoret gjërësisht, pasi shtohen avantazhet terapeutike.
• Përdorimi i njëkohshëm me antiinflamatorët josteroidë rrit rrezikun për hemorragji.
• Kombinimi i heparinës me barna që shkaktojnë hypoprotrombinemi (cefalosporinat, acidi valproik, antitiroidienët e sintezës), rrit rrezikun për hemorragji.
• Barnat që shkaktojnë trombocitopeni (p.sh klorokina), duhen përdorur me kujdes tek të sëmurët që marrin heparinë dhe anasjelltas.
• Nitroglicerina intravenoze mund të antagonizojë efektin antikoagulant të heparinës.
• Probenecidi mund të shtojë dhe zgjasë efektin antikoagulant të heparinës.

PËRDORIMI GJATË SHTATZËNISË
• Të evitohet përdorimi (klasa C).

 PËRDORIMI GJATË USHQYERJES ME GJI
• Mund të përdoret.

 DOZA DHE MËNYRA E ADMINISTRIMIT
• Për trajtimin e trombozave të thella venoze, embolisë pulmonare, tromboembolizmit arterial dhe anginës së paqëndrueshme, heparina administrohet me injeksion IV.
Fillohet me një dozë ngopëse prej 5.000 UI (10.000 UI në rastet e rënda).
Vazhdohet me infuzion IV, 1.000-2.000 UI/orë, ose me injeksion SC, 15.000 UI çdo 12 orë.
Të kryhen, mundësisht çdo ditë, analizat laboratorike të vlefshme për monitorizimin e terapisë dhe më pas të bëhet rregullimi i dozës.
Tek fëmijët përdoren doza ngopëse më të vogla. Terapia vazhdohet me 15-25 UI/kg në orë, admnistruar me infuzion IV, ose me 250 UI/kg çdo 12 orë, me injeksion SC.
• Për profilaksi në ndërhyrjet kirurgjikale
Heparina administrohet 2 orë para interventit, me rrugë SC, 5.000 UI, dhe vazhdohet me 5.000 UI çdo 8-12 orë, për 7 ditë.

PREPARATET E REGJISTRUARA
Heparin Calcium
solucion injektabël 5000 IU/0.2ml CALCIPARINE, HEPARINA ROVI
solucion injektabël 7500 IU/0.3ml CALCIPARINE, HEPARINA ROVI
solucion injektabël 17500 IU/0.7ml HEPARINA ROVI
solucion injektabël 12500 IU/0.5ml CALCIPARINE
solucion injektabël 25000 IU/1ml CALCIPARINE, HEPARINA ROVI
Heparin Sodium
solucion injektabël 1000 IU/1ml HEPARINA ROVI
solucion injektabël 5000 IU/1ml HEPARIN, HEPARINA ROVI, HEPARIN RICHTER
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive