Saturday, November 5, 2016

Zofecard (tableta)

Përbërja
Lëndë vepruese: 30 mg zofenopril kalciumi e barabartë me 28.7 mg zofenopril.
Lëndë përbërëse jo vepruese: celulozë mikrokristaline, laktozë monohidrat, amidon misri, stearat magnezi, silicë koloidale anhidër, hipromelozë, dioksid titani (E 171), makrogol 400, makrogol 6000.

Përdorimet
-Trajtimi i formave të lehta deri të mesme të presionit të lartë të gjakut (hipertensionit esencial)
-Trajtimi i filluar brenda 24 orëve nga infarkti akut i miokardit, i shoqëruar ose jo me shenja dhe simptoma të insufiçiencës kardiake, në pacientë me hemodinamikë të qëndrueshme dhe që nuk kanë marrë trajtim trombolitik.

Kundërindikimet
Zofecard® 30 mg nuk duhet të përdoret në rast:
-mbindjeshmërie ndaj zofenoprilit ose barnave të tjerë ACE frenues, apo ndaj përbërësve të tjerë të produktit;
-prirje për të zhvilluar edemë angioneurotike (enjtje të indeve), e shfaqur kjo edhe gjatë përdorimit të mëparshëm të barnave të tjerë ACE frenues;
-dëmtimesh të formave të rënda të mëlçisë;
-shtatzënie ose gjatë periudhës së ushqyerjes me gji;
-nëse jeni grua që mund të mbeteni shtatzënë, por që nuk përdorni mjete mbrojtëse kontraceptive;
-vuani nga ngushtimi i arterieve që ushqejnë të dy veshkat, apo të arteries që ushqen veshkën e vetme (në rast se keni vetëm një veshkë).

Paralajmërime dhe përkujdesje të veçanta gjatë përdorimit
Ashtu siç mund të ndodhë edhe me barnat e tjerë ACE frenues, zofenopril mund të shkaktojë një rënie të theksuar të presionit të gjakut, veçanërisht pas përdorimit të dozës së parë (hipotension nga doza e parë). Kjo ka më tepër mundësi të ndodhë në pacientët me mungesë të kriprave dhe lëngjeve në organizëm, siç është rasti i trajtimit me diuretikë (barna që shtojnë sasinë e urinës), kufizimit dietik të kripës, dializës, heqjes së barkut apo të vjellave, në pacientë me insuficiencë kardiake të formës së rëndë apo me dëmtim të funksionit të veshkave. Trajtimi në këta pacientë duhet të fillojë nën mbikqyrjen e kujdesshme të mjekut, mundësisht në spital, me doza të vogla të cilat përshtaten me kujdes.
Kur është e mundur, këshillohet që përpara fillimit të mjekimit me Zofecard® 30 mg trajtimi me diuretikë të ndërpritet përkohësisht. Kjo ka rëndësi të veçantë për pacientët që kanë çrregullime të qarkullimit të gjakut në zemër ose tru, tek të cilët rënia e theksuar e presionit të gjakut mund të shkaktojë infarkt të miokardit ose insult cerebral.
Shenja të rënies së theksuar të presionit të gjakut mund të jenë: ndjesi të ftohti në duar dhe këmbë, zbehje, të përziera, zhurmë në vesh, palpitacione (perceptimi i rrahjeve të zemrës), shpejtim i pulsit, djersitje, turbullim i shikimit, marrje mendsh deri edhe humbje të ndërgjegjes. Në rast se ju shfaqen shenjat e mësipërme njoftoni menjëherë mjekun dhe shtrihuni në shpinë sa më parë.
Trajtimi me Zofecard® 30 mg në pacientët me insufiçiencë kardiake të formës së rëndë si pasojë e infarktit të miokardit dhe në pacientët me presion të lartë të gjakut me origjinë nga veshkat duhet të fillohet me kujdes të veçantë dhe nën mbikqyrjen e mjekut.
Përdorimi i zofenopril në pacientët me infarkt të miokardit dhe dëmtime të funksionit të veshkave ose mëlçisë apo në dializë, nuk është studiuar në mënyrë të mjaftueshme prandaj ai nuk duhet të përfshihet në trajtimin e këtyre të sëmurëve.
Pacientët që i nënshtrohen dializës me aparate që përdorin membrana me fluks të lartë prej
poly(acrylonitrile, sodium-2-methylallylsulphonate) dhe njëkohësisht trajtohen me ACE frenues, ka mundësi të shfaqin reaksione të rënda alergjike, të tilla si: enjtje të fytyrës, ndjesi nxehtësie në trup, rënie të presionit arterial dhe vështirësi në frymëmarrje, brenda pak minutash nga fillimi i hemodializës. Në këto raste duhet të përdoret ose një bar i një grupi tjetër për trajtimin e hipertensionit, ose një membranë tjetër për aparatin e dializës.
Për shkak të rrezikut të reaksioneve alergjike, pacientët hipertensivë që i nënshtrohen LDL aferezës (shkëmbimi i plazmës në rastet e rritjes së theksuar të kolesterolit në plazmë) me dekstran sulfat ose që janë në trajtim desensibilizues për helmet e insekteve, nuk duhet të trajtohen me këtë bar, por me një bar antihipertensiv tjetër.
Nuk ka përvojë lidhur me përdorimin e Zofecard® 30mg në pacientë që sapo kanë kryer transplant renal.
Në rastin e gjendjeve që çrregullojnë funksionin e gjendrave mbiveshkore (hiperaldosteronizëm parësor), ACE frenuesit zakonisht nuk tregohen efikasë dhe për pasojë nuk duhet të përdoren.
Në raste të veçuara, gjatë trajtimit me ACE frenues mund të shfaqet edema angioneurotike (enjtje e indeve të fytyrës, gjymtyrëve, buzëve, membranave mukoze, gjuhës, gjuhëzës dhe/ose laringut).
Në një rast të tillë trajtimi me ACE frenues duhet të ndërpritet menjëherë. Edema angioneurotike, kur prek gjuhën, gjuhëzën (glotis) ose laringun mund të jetë vdekjeprurëse. Në një rast të tillë nevojitet trajtim mjekësor i menjëhershëm.
ACE frenuesit nuk duhet të përdoren në pacientët që njëkohësisht trajtohen me barna që përmbajnë kalium ose me diuretikë që mbajnë kaliumin në organizëm. Kur përdorimi i njëkohshëm i këtyre barnave është i nevojshëm duhet që përqendrimet e kaliumit në gjak (serum) të maten rregullisht.
ACE frenuesit duhet të përdoren me shumë kujdes dhe nën mbikqyrjen e mjekut në rastet e sëmundjeve që shoqërohen me çrregullim të hedhjes së gjakut nga ventrikuli i majtë, me jashtëqitje të theksuar të proteinave në urinë si pasojë e dëmtimit të funksionit të veshkave dhe në pacientë që vuajnë nga psoriaza (rrezik për përkeqësimin e sëmundjes).
Në pacientët me çrregullime të funksionit të veshkave, sidomos në ata që njëkohësisht vuajnë nga sëmundje të sistemit të enëve të gjakut dhe të indit lidhor, apo që janë në trajtim me barna që frenojnë sistemin imunitar mund të shfaqen ndryshime në numrin e elementëve të gjakut (neutropeni ose agranulocitozë) të cilët, pas ndërprerjes së ACE frenuesve, kthehen në normë.
Agranulocitoza mund të shprehet si një çrregullim i përgjigjes imunitare të organizmit në trajtën e ethes, zmadhimit të gjendrave limfatike dhe/ose inflamacion i gojës dhe fytit. Në këto raste duhet të këshilloheni menjëherë me mjekun, i cili mund të kërkojë ndërprerjen e barit dhe kryerjen e analizës së gjakut.
ACE frenuesit mund të shtojnë efektin hipotensiv (ulës të presionit të gjakut) të anestetikëve. Për këtë arsye mjeku anestezist duhet të njoftohet në rast se mjekoheni me ndonjë ACE frenues.

Shtatzënia dhe ushqyerja me gji:
Zofecard® 30 mg nuk duhet të përdoret gjatë shtatzënisë apo nga gratë që kanë mundësi të mbeten shtatzëna, në rast se nuk marrin masa mbrojtëse kundër shtatzënisë.
Meqë zofenoprili ekskretohet (kalon) në qumështin e gjirit, Zofecard® 30 mg nuk duhet të përdoret në nënat që ushqejnë fëmijën me gji.

Fëmijët:
Siguria dhe efikasiteti i Zofecard® 30 mg në fëmijët nuk është përcaktuar akoma.
Për këtë arsye ai nuk duhet të përdoret në fëmijët.

Të moshuarit:
Zofecard® 30 mg duhet të përdoret me kujdes në pacientët e moshuar (mbi 75 vjeç) me infarkt të miokardit (shih edhe “Dozimi”).

Ndikimi mbi aftësinë për të drejtuar automjete dhe përdorur makineri:
Sa herë që drejtoni automjete ose përdorni makineri mos harroni që rastësisht mund t’ju shfaqet marrje mendsh ose lodhje.

Ndërveprimet
Si efektet terapeutike, ashtu edhe efektet e padëshiruara të barnave mund të ndikohen nga përdorimi i njëkohshëm i barnave të tjerë. Kështu, efekti i barnave ACE frenues për të ulur presionin e rritur të gjakut mund të shtohet nga përdorimi i njëkohshëm i barnave të tjerë antihipertensivë, diuretikëve, anestetikëve, narkotikëve, barnave për trajtimin e sëmundjeve psikiatrike, alkoolit dhe cimetidinës (bar për ulçerat e stomakut). Por, efekti i ACE frenuesve mbi presionin e gjakut mund të pakësohet nga përdorimi i njëkohshëm i barnave për trajtimin e dhimbjes dhe inflamacionit, barnave që neutralizojnë acidin e stomakut apo barnat që ndikojnë mbi sistemin nervor simpatik. Barnat që përmbajnë kalium dhe diuretikët që mbajnë kaliumin në organizëm shtojnë rrezikun e grumbullimit të kaliumit në gjak. Në rastet kur njëkohësisht përdoret edhe litium (bar kundër depresionit), ekskretimi (jashtëqitja) e këtij të fundit mund të pakësohet.
Përdorimi i njëkohshëm i barnave që ulin sheqerin në gjak shton rrezikun për një ulje të theksuar të nivelit të sheqerit. Gjithashtu, mund të ndodhin ndërveprime me barnat kundër kancerit, barnat që pakësojnë reaksionet imunitare të organizmit apo me produktet që përmbajnë ciklosporinë, allopurinol, prokainamid ose glukokortikoidsë. Tregojini mjekut për barnat që përdorni ose keni përdorur deri para pak kohësh.

Dozimi
1. Presioni i lartë i gjakut (hipertensioni)
Në rast se nevojitet që të rritet doza, kjo duhet bërë me ngadalë, me intervale 4 javore.
Pacientët pa pakësim të vëllimit qarkullues dhe të kripërave, me funksion normal të veshkave dhe mëlçisë:
Trajtimi duhet të fillojë me ½ tabletë Zofecard® 30 mg, një herë në ditë dhe duke e rritur dozën gradualisht, me intervale çdo katër javore derisa të arrihet kontrolli i duhur i presionit të gjakut.
Doza e zakonshme efikase (efektive) është 1 tabletë Zofecard® 30 mg, një herë në ditë.
Doza maksimale është 2 tableta Zofecard® 30 mg në ditë që mund të merren si një dozë e vetme ose në dy doza të ndara (nga 1 tabletë secila).
Në rastet kur përgjigja ndaj trajtimit nuk është ajo që dëshirohet mund të shtohen barna të tjerë antihipertensivë (që ulin presionin e rritur të gjakut) ose barna diuretikë.
Pacientët që dyshohet se kanë pakësim të vëllimit qarkullues dhe të kripërave:
Në pacientët me rrezik të lartë (shih “Paralajmërime dhe përkujdesje të veçanta gjatë përdorimit”) mund të shfaqet hipotension (rënie e presionit të gjakut) nga doza e parë. Fillimi i trajtimit me ACE frenues kërkon që paraprakisht të korrigjohet mungesa (pakësimi) i kripës dhe/ose lëngjeve në organizëm, të ndërpritet mjekimi i mundshëm me diuretikë dy–tre ditë përpara fillimit të trajtimit dhe të përdoret një dozë fillestare ½ tabletë Zofecard® 30 mg në ditë. Kur kjo nuk është e mundur doza fillestare duhet të jetë ¼ tabletë Zofecard® 30 mg në ditë.
Dozimi në pacientët me dëmtim të veshkave dhe në dializë:
Në pacientët me dëmtime të lehta të funksionit të veshkave (klirensi i kreatininës > 45 ml/min) nuk nevojitet pakësimi i dozave. Në pacientët me dëmtime të mesme deri të rënda të funksionit të veshkave (klirensi i kreatininës < 45 ml/min) duhet të jepet gjysma e dozës terapeutike, një herë në ditë.
Doza fillestare për pacientët që janë në dializë duhet të jetë sa një e katërta e dozës së pacientëve me funksion normal të veshkave.

Dozimi në pacientët e moshuar:
Në pacientët e moshuar me klirens normal të kreatininës nuk nevojitet të përshtatet doza.
Në pacientët e moshuar me klirens të pakësuar të kreatininës (< 45 ml/min), doza ditore këshillohet të përgjysmohet.
Dozimi në pacientët me dëmtim të mëlçisë:
Doza fillestare e Zofecard® 30 mg në pacientët me dëmtime të lehta deri mesatare të mëlçisë duhet të jetë sa gjysma e dozës së pacientëve me funksion normal të mëlçisë.
Zofecard® 30 mg nuk duhet të përdoret në pacientët me dëmtime të rënda të funksionit të mëlçisë.

2. Infarkti akut i miokardit
Trajtimi me Zofecard® 30 mg duhet të fillohet brenda 24 orëve nga shfaqja e simptomave të infarktit akut të miokardit dhe duhet të vazhdohet për 6 javë.
Dozimi bëhet si më poshtë:
Dita e parë dhe e dytë: ¼ tabletë Zofecard® 30 mg, çdo 12 orë
Dita e tretë dhe e katërt: ½ tabletë Zofecard® 30 mg, çdo 12 orë
Dita e pestë dhe më tej: 1 tabletë Zofecard® 30 mg, çdo 12 orë
Në rast se në fillim të trajtimit ose gjatë tre ditëve të para pas infarktit të miokardit presioni i gjakut është i ulët, mjeku mund të vendosë që dozat të mos rriten më tej ose të ndërpritet mjekimi me Zofecard® 30mg.
Pas 6 javësh trajtim, pacienti duhet të rivlerësohet dhe në rast se nuk ka shenja të disfunksionit të ventrikulit të majtë ose të insufiçiencës kardiake trajtimi duhet të ndërpritet. Në rast se këto shenja janë të pranishme, trajtimi duhet të vazhdohet për një kohë të gjatë.

Dozimi në pacientët e moshuar:
Zofecard® 30 mg duhet të përdoret me kujdes në pacientë me infarkt të miokardit dhe me moshë mbi 75 vjeç.

Mënyra dhe kohëzgjatja e trajtimit:
Zofecard® 30 mg mund të merret përpara, gjatë ose pas ushqimit, por gjithmonë i shoqëruar me një sasi të mjaftueshme lëngjesh.
Kohëzgjatja e trajtimit varet nga natyra e sëmundjes dhe gjithmonë përcaktohet nga mjeku që ju trajton. Trajtimi mund të vazhdohet për një periudhë disa vjeçare.

Efektet e padëshiruara
Zofecard® 30 mg si rregull tolerohet mirë nga të sëmurët.
Në tabelën më poshtë jepen të gjithë efektet e padëshiruara që janë raportuar gjatë praktikës klinike në pacientët e trajtuar me Zofecard® 30 mg. Ato janë rreshtuar sipas sistemeve të organizmit dhe sipas shpeshtësisë së shfaqjes. Shpeshtësia nënkupton: shumë të zakonshme
(= 1/10); të zakonshme (= 1/100, < 1/10); të pazakonshme (=> 1/1,000, < 1/100); të rralla
(=> 1/10,000, < 1/1,000); shumë të rralla (=< 1/10,000)
Çrregullime të përgjithshme dhe gjendje të vendit të administrimit
Të zakonshme: Lodhje
Të pazakonshme: Dobësi
Çrregullime gastrointestinale
Të zakonshme: Të përziera/të vjella
Çrregullime muskuloskeletike dhe të indit lidhor
Të pazakonshme: Krampe muskulare (ngërçe)
Çrregullime të sistemit nervor
Të zakonshme: Marrje mendsh, dhimbje koke
Çrregullime respiratore, të toraksit dhe mediastinit
Të zakonshme: Kollë
Çrregullime të lëkurës dhe indit nënlëkurë
Të pazakonshme: Rash
Të rralla: Angioedemë
Gjatë trajtimit me ACE frenues janë vërejtur edhe efekte të tjera të padëshiruara (shih “Paralajmërime dhe përkujdesje të veçanta gjatë përdorimit”) Gjatë trajtimit mund të shfaqet ose të rëndohet më tej insufiçienca renale. Janë raportuar edhe raste me insufiçiencë renale akute. Në pacientët me dëmtim të funksionit të veshkave mund të vërehet ekskretim (humbje) i proteinave në urinë.
Gjithashtu, mund të shfaqen efektet e padëshiruara të mëposhtme: ankesa gastrointestinale, dhimbje muskujsh dhe reaksione alergjike në lëkurë. Ju duhet të kërkoni menjëherë ndihmën e mjekut në qoftë se, në raste të veçuara, ju shfaqen reaksione të rënda në lëkurë, të tilla si: skuqje e lëkurës dhe formim flluskash (sindromë Stevens-Johnson), shkolitje e lokalizuar e shtresës së sipërme të lëkurës (nekrolizë toksike e epidermës), ndryshime të ngjashme me psoriazën dhe rënie flokësh, që mund të shoqërohet me ethe, dhimbje muskujsh dhe kyçesh, ndryshime të formulës së gjakut (eozinofili) dhe rritje të vlerave të titrit të disa antitrupave (ANA).
Ankesat lidhur me rrugët e frymëmarrjes (kolla e thatë jo produktive është relativisht e zakonshme), shtimi i djersitjes, çrregullimet gjatë urinimit, simptomat e sistemit nervor, të tilla si depresioni, luhatjet e humorit, çrregullimet e gjumit, çrregullimet e ekuilibrit, janë relativisht të rralla.
Enjtja e gjymtyrëve (edemat) ose rënia e përkohshme e presionit të gjakut në pozicionin në këmbë (hypotension ortostatik) janë raportuar shumë rrallë.
Raste individuale të shpejtimit ose të çrregullimit të rrahjeve të zemrës, palpitacioneve (ndjesia e rrahjeve të zemrës), dhimbjeve të gjoksit (angina pectoris), infarktit të miokardit, çrregullimeve të përkohshme të qarkullimit të gjakut në tru dhe hemoragjia cerebrale janë raportuar si shoqëruese të rënies së theksuar të presionit të gjakut nga përdorimi i ACE frenuesve.
Efektet e padëshiruara të mëposhtme, gjatë trajtimit me ACE frenues janë raportuar vetëm në raste të izoluara: verdhëz (ikter) prej grumbullimit të lëngut të tëmthit, hepatit ose pancreatit, zënie (bllokim) i zorrëve ose edemë angioneurotike (shih më lart).
Gjithashtu janë vërejtur ndryshime të disa vlerave laboratorike (azotemisë, kreatininemisë, enzimave të mëlçisë, bilirubinemisë, pigmentit të gjakut (hemoglobinës), formulës së gjakut), sidomos në prani të insufiçiencës renale, insufiçiencës kardiake të formës së rëndë dhe hipertensionit me origjinë nga veshka.

Formëdoza
Tableta me ngjyrë të bardhë, formë të zgjatur, të veshura me cipë (film) dhe me një vijë që ndihmon ndarjen.

Shënim:
Data e skadencës së kësaj kutie është e shtypur në kuti dhe në blister.
Bari nuk duhet të përdoret përtej kësaj date.
Ruajini barnat në vende të paarritshme nga fëmijët!
Share:

Shqiperia JO Duhanit

Blog Archive